Numrat 27:6-17 Bibla Shqip (ALBB)

6. Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

7. "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t'u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t'u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre.

8. Do t'u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t'u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t'ia kaloni bijës së tij.

9. Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të tij.

10. Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të atit të tij.

11. Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t'ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.

12. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.

13. Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,

14. sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).

15. Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:

16. "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri

17. që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t'i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".

Numrat 27