Numrat 26:52-65 Bibla Shqip (ALBB)

52. Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

53. "Vendi do të ndahet midis tyre si trashëgimi, sipas numrit të personave.

54. Atyre që janë më të shumtë do t'u japësh në trashëgimi një pjesë më të madhe; atyre që janë në numër më të vogël do t'u japësh një pjesë më të vogël; secili do të marrë pjesën e tij në bazë të regjistrimit.

55. Por ndarja e vendit do të bëhet me short; ata do të marrin trashëgiminë e tyre në bazë të emrave të fiseve atërore.

56. Ndarja e trashëgimisë do të bëhet me short midis të gjitha fiseve të mëdha ose të vogla.

57. Dhe këta qenë ata që u regjistruan nga levitët, sipas familjeve të tyre: nga Gershoni, familja e gershonitëve; nga Kehathi, familja e kehathitëve; nga Merari, familja e meraritëve.

58. Këto janë familjet e Levit: familja e libnitëve, familja e hebronitëve, familja e mahlitëve, familja e mushitëve, familja e korahitëve. Dhe Kehathit i lindi Amrami.

59. Gruaja e Amramit quhej Jokebed; ishte bijë e Levit dhe i kishte lindur Levit në Egjipt; në Amram ajo lindi Aaronin, Moisiun dhe Miriamin, motrën e tyre.

60. Aaronit i lindën Nadabi dhe Abihuri, Eleazari dhe Ithamari.

61. Por Nadabi dhe Abihu vdiqën kur i paraqitën Zotit një zjarr të palejueshëm.

62. Ata që u regjistruan në radhët e tyre qenë njëzet e tre mijë veta; të gjithë ishin meshkuj me moshë një muajsh e lart. Ata nuk u regjistruan bashkë me bijtë e tjerë të Izraelit, sepse atyre nuk iu dha asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit.

63. Këta janë ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Eleazar, që regjistruan bijtë e Izraelit në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.

64. Midis tyre nuk kishte asnjë nga ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Aaron, kur ata regjistruan bijtë e Izaelit në shkretëtirën e Sinait,

65. sepse Zoti pat thënë për ata: "Ata do të vdesin, do të vdesin në shkretëtirë". Dhe prej tyre nuk mbeti as edhe një, me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.

Numrat 26