Numrat 24:10-23 Bibla Shqip (ALBB)

10. Atëherë zemërimi i Balakut u ndez kundër Balaamit; kështu ai rrahu duart dhe Balaku i tha Balaamit: "Unë të thirra për të mallkuar armiqtë e mi, kurse ti i bekove tri herë me radhë.

11. Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t'i marrësh".

12. Balaami iu përgjigj kështu Balakut: "A nuk u kisha folur lajmëtarëve që më kishe dërguar, duke u thënë:

13. "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrat e Zotit për të bërë të mirë ose të keq me nismën time, por duhet të them atë që Zoti do të thotë"?.

14. Dhe ja, tani do të kthehem te populli im; eja, unë do të njoftoj atë që ky popull do t'i bëjë popullit tënd në ditët e fundit".

15. Atëherë ai shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit; kështu thotë njeriu sytë e të cilit janë hapur,

16. kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Zotit, që njeh diturinë e të Lartit, që sodit vegimin e të Plotfuqishmit, ai që bie por syçelë:

17. E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit.

18. Edomi do të bëhet pronë e tij, po ashtu edhe Seiri, armiku i tij, do të bëhet pronë e tij; Izraeli do të kryejë trimëri.

19. Nga Jakobi do të dalë një sundues që do të shfarosë ata qytetarë që kanë mbijetuar.

20. Pastaj shikoi nga ana e Amalekut dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Amaleku ishte i pari i kombeve, por fundi i tij do të kulmojë në shkatërrim".

21. Shikoi edhe nga kenenjtë dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Banesa jote është e fortë dhe foleja jote është vendosur në shkëmb;

22. megjithatë keneu do të shkretohet, përderisa asiri do të të çojë në robëri".

23. Pastaj shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Medet! Kush do të mbetet gjallë kur Zoti ta ketë kryer këtë?

Numrat 24