2. Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, pastaj Balaku dhe Balaami ofruan një dem të vogël dhe një dash mbi secilin altar.
3. Pastaj Balaami i tha Balakut: "Qëndro pranë holokaustit tënd dhe unë do të shkoj; ndofta Zoti do të vijë të takohet me mua; dhe atë që ka për të më treguar do të ta njoftoj". Kështu ai shkoi në një bregore të zhveshur.
4. Dhe Perëndia i doli përpara Balaamit, dhe Balaami i tha: "Unë kam përgatitur shtatë altarë dhe kam ofruar nga një dem të vogël dhe nga një dash për çdo altar".
5. Atëherë Zoti i vuri një mesazh në gojë Balaamit dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu".
6. U kthye tek ai, dhe ja, ai qëndronte pranë holokaustit, ai dhe të gjithë prijësit e Moabit.
7. Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Balaku, mbret i Moabit, më ka sjellë nga Arami, nga malet e Lindjes: "Eja, mallko për mua Jakobin, eja dhe padit Izraelin!".
8. Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar? Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur?
9. Unë e shoh nga maja e shkëmbinjve dhe e sodis nga lartësitë; ja, është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.
10. Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit apo të numërojë çerekun e Izraelit? Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!".
11. Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Ç'më bëre? Të mora që të mallkosh armiqtë e mi, kurse ti i bekove me të madhe".