Numrat 16:41-50 Bibla Shqip (ALBB)

41. Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: "Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit".

42. Por ndodhi që, ndërsa asambleja po mblidhej kundër Moisiut dhe Aaronit, ata u kthyen nga çadra e mbledhjes; dhe ja, reja e mbulonte atë dhe u shfaq lavdia e Zotit.

43. Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan përpara çadrës së mbledhjes.

44. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

45. "Largohuni nga kjo asamble dhe unë do t'i zhduk në një çast". Dhe ata ranë përmbys me fytyrën për tokë.

46. Kështu Moisiu i tha Aaronit: "Merr temjanicën, vër brenda saj zjarr të marrë nga altari, vendos mbi të temjan dhe çoje shpejt në mes të asamblesë, dhe bëj shlyerjen e fajit për ta, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit, dhe plaga ka filluar".

47. Atëherë Aaroni mori temjanicën, ashtu siç kishte thënë Moisiu, dhe vrapoi në mes të asamblesë; dhe ja, fatkeqësia kishte filluar në mes të popullit; kështu ai vuri temjanin në temjanicën dhe bëri shlyerjen për popullin.

48. Dhe u ndal midis të gjallëve dhe të vdekurve, dhe fatkeqësia u ndal.

49. Ata që vdiqën nga fatkeqësia ishin katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind veta, përveç atyre që kishin vdekur për ngjarjet e Koreut.

50. Kështu Aaroni u kthye te Moisiu në hyrje të çadrës së mbledhjes, sepse fatkeqësia ishte ndalur.

Numrat 16