Numrat 16:3-13 Bibla Shqip (ALBB)

3. Ata u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit, dhe u thanë: "Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij, dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?".

4. Me të dëgjuar këto fjalë, Moisiu ra përmbys me fytyrën për tokë;

5. pastaj i foli Koreut dhe gjithë njerëzve të tij, duke u thënë: "Nesër në mëngjes Zoti do të tregojë kush është i tij dhe kush është i shenjtë, dhe ai do ta afrojë pranë vetes; do të afrojë pranë vetes atë që ai ka zgjedhur.

6. Bëni kështu: merrni temjanica, ti Kore, dhe gjithë njerëzit e tu;

7. nesër i mbushni me zjarr dhe u hidhni sipër temjan para Zotit; dhe ai që Zoti do të ketë zgjedhur do të jetë i shenjtë. E kaluat masën, o bij të Levit!".

8. Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Tani dëgjoni, o bij të Levit!

9. A është gjë e vogël për ju që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë nga asambleja e Izraelit dhe ju ka afruar ndaj vetes që të kryeni shërbimin e tabernakullit të Zotit dhe që të rrini përpara asamblesë dhe t'u shërbeni atyre?

10. Ai ju ka afruar ndaj vetes ty dhe të gjithë vëllezërit e tu, bij të Levit bashkë me ty. Po tani kërkon të kesh edhe priftërinë?

11. Për këtë arsye ti edhe tërë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Dhe kush është Aaroni që të murmurisni kundër tij?".

12. Atëherë Moisiu dërgoi të thërrasin Datanin dhe Abiramin, bij të Eliabit; por ata thanë: "Ne nuk do të ngjitemi.

13. A është vallë gjë e vogël që na nxore nga një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, për të na lënë të vdesim në shkretëtirë, me qëllim që ti të sundosh mbi ne?

Numrat 16