26. Do t'i falet tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe të huajit që banon midis tyre, sepse tërë populli e kreu këtë mëkat nga padituria.
27. Në qoftë se është një person i vetëm që kryen mëkatin nga padituria, ai të ofrojë një dhi motake si flijim për mëkatin.
28. Dhe prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për personin që ka mëkatuar nga padituria, kur e ka bërë pa njohjen e duhur; prifti do të bëjë shlyerjen për të dhe mëkati do t'i falet.
29. Si për ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit ose për një të huaj që banon midis jush, do të keni një ligj të vetëm për atë që mëkaton nga padituria.
30. Por ai që kryen një mëkat me qëllim, qoftë i lindur në vend apo i huaj, fyen Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.
31. Sepse ka përçmuar fjalën e Zotit dhe ka dhunuar urdhërimet e tij; ky njeri duhet të shfaroset, do të mbajë barrën e paudhësisë së tij".
32. Ndërsa bijtë e Izraelit ishin në shkretëtirë, gjetën një njeri që mblidhte dru ditën e shtunë.
33. Ata që e gjetën duke mbledhur dru, e çuan te Moisiu, tek Aaroni dhe para tërë asamblesë.
34. Dhe e futën në burg, sepse nuk ishte përcaktuar akoma se ç'duhet t'i bënin.
35. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ky njeri duhet të vritet; e tërë asambleja do ta vrasë me gurë jashtë kampit".
36. Kështu tërë asambleja e çoi jashtë kampit dhe e vrau me gurë; dhe ai vdiq, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Qëllimi i thekëve në rrobat
37. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
38. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre që të bëjnë brez pas brezi thekë në cepat e rrobave të tyre dhe të vënë në çdo cep një kordon në ngjyrë manushaqeje.
39. Do të jetë një thek të cilin do ta shikoni për të kujtuar të gjitha urdhërimet e Zotit dhe për t'i zbatuar, dhe jo për të ndjekur zemrën tuaj dhe sytë tuaja që ju çojnë në kurvërim.
40. Kështu do të kujtoni të gjitha urdhërimet e mia dhe do t'i zbatoni në praktikë, dhe do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj.
41. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".