8. Populli shkonte rreth e rrotull për ta mbledhur; pastaj e bënte miell me mokrat ose e shtypte në havan, e zinte në një tenxhere ose përgatiste kuleç, të cilët kishin shijen e kuleçëve me vaj.
9. Kur binte vesa mbi kamp natën, binte mbi të edhe mana.
10. Por Moisiu dëgjoi popullin që ankohej, në të gjitha familjet e tij, secili në hyrje të çadrës së vet; zemërimi i Zotit shpërtheu me të madhe dhe kjo nuk i pëlqeu aspak edhe Moisiut.
11. Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para syve të tu për ta vënë barrën e gjithë këtij populli mbi mua?
12. Mos vallë unë e kam gjeneruar tërë këtë popull? Mos vallë kam qenë unë që e kam nxjerrë në dritë, që ti të më thuash: "Mbaje në prehrin tënd, ashtu si taja mban fëmijën që pi sisë, deri në vendin që ti u ke premtuar me betim etërve të tij"?
13. Ku mund të gjej mish për t'i dhënë tërë këtij populli? Sepse vazhdon të qajë para meje, duke thënë: "Na jep mish për të ngrënë!".
14. Unë nuk mund ta mbaj vetëm tërë këtë popull; është një barrë shumë e rëndë për mua.