Numrat 11:19-35 Bibla Shqip (ALBB)

19. Dhe do ta hani jo për një ditë, jo për dy ditë, jo për pesë ditë, jo për dhjetë ditë, jo për njëzet ditë,

20. por për një muaj të tërë, derisa t'ju dalë nga hunda dhe t'ju shkaktojë neveri, sepse keni hedhur poshtë Zotin dhe keni qarë para tij, duke thënë: "Pse vallë dolëm nga Egjipti?"".

21. Atëherë Moisiu tha: "Ky popull, në mes të të cilit ndodhem, ka gjashtëqind mijë të rritur, dhe ti ke thënë: "Unë do t'u jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tërë!".

22. Mos duhen therur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mjaft mish? Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit që ta kenë një sasi të mjaftueshme?".

23. Zoti iu përgjigj Moisiut: "Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo".

24. Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes.

25. Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më.

26. Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp.

27. Një djalë shkoi me vrap t'ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: "Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kamp".

28. Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!".

29. Por Moisiu iu përgjigj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!".

30. Pastaj Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit.

31. Atëherë u ngrit një erë me urdhër të Zotit dhe solli shkurta nga ana e detit, dhe i la të binin pranë kampit, një ditë ecjeje nga një anë dhe një ditë ecjeje nga ana tjetër rreth e qark kampit, me

32. Populli mbeti në këmbë gjithë atë ditë, tërë natën dhe tërë ditën vijuese, dhe mblodhi shkurtat. (Ai që mblodhi më pak pati dhjetë homer); dhe i shtrinë rreth e qark kampit.

33. Kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, kur zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë.

34. Kështu ky vend u quajt Kibroth-Hataavah sepse aty u varrosën njerëzit që ishin dhënë pas epsheve.

35. Nga Kibroth-Hataavau populli u nis për në Haltseroth dhe u ndal në këtë vend.

Numrat 11