40. Nga bijtë e Asherit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
41. ata që u regjistruan nga fisi i Asherit ishin dyzet e një mijë e pesëqind.
42. Nga bijtë e Neftalit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
43. ata që u regjistruan nga fisi i Neftalit ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.
44. Këta ishin të regjistruarit nga Moisiu dhe Aaroni, së bashku me dymbëdhjetë burrat, prijës të Izraelit, secili përfaqësues i shtëpisë së atit të tij.
45. Kështu tërë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre, nga mosha njëzet vjeç e lart, domethënë tërë njerëzit që në Izrael ishin të aftë të shkonin në luftë,
46. të gjithë ata që u regjistruan ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.
47. Por levitët nuk u regjistruan bashkë me të tjerët, sipas fisit të etërve të tyre,
48. sepse Zoti i kishte folur Moisiut, duke i thënë:
49. "Vetëm në fisin e Levit nuk do të bësh regjistrimin dhe nuk do të llogaritësh numrin e tyre me bijtë e Izraelit;
50. por besoju levitëve kujdesin për tabernakullin e dëshmisë, për të gjitha orenditë e tij dhe për çdo gjë që i përket. Ata do të mbartin tabernakullin dhe tërë orenditë e tij, do të bëjnë shërbimin dhe do të fushojnë rreth tabernakullit.
51. Kur tabernakulli duhet të zhvendoset, levitët do ta bëjnë pjesë-pjesë; kur tabernakulli duhet të ndalet, ata do ta ngrenë; dhe i huaji që do të afrohet do të dënohet me vdekje.
52. Bijtë e Izraelit do t'i ngrenë çadrat e tyre secili në kampin e vet, secili pranë flamurit të vet, sipas renditjes së tyre.