Nehemia 9:8-18 Bibla Shqip (ALBB)

8. Ti e gjete zemrën e tij besnike para teje dhe bëre një besëlidhje me të për t'u dhënë pasardhësve të tij vendin e kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të perezenjve, të jebusenjve dhe të girgasenjve; ti e mbajte fjalën tënde; sepse je i drejtë.

9. Ti ke parë hidhërimin e etërve tanë në Egjipt dhe ke dëgjuar britmën e tyre pranë Detit të Kuq.

10. Ke bërë mrekulli dhe çudi kundër Faraonit, kundër tërë shërbëtorëve të tij dhe kundër tërë popullit të vendit të tij, sepse e dije që ata ishin sjellë me paturpësi me etërit tonë. Kështu i bëre një emër vetes që mbetet edhe sot.

11. Ti ke ndarë detin para tyre, dhe ata kaluan në mes të detit në të thatë, ndërsa ti i hidhje në humnerë ndjekësit e tyre si një gur në ujëra të furishme.

12. Ti i ke udhëhequr ditën me një kolonë reje dhe natën me një kolonë zjarri për t'i ndriçuar rrugën në të cilën do të ecnin.

13. Zbrite gjithashtu mbi malin Sinai, u fole nga qielli dhe u dhe dekrete të drejta dhe ligje të së vërtetës, statute dhe urdhërime të mira.

14. U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë dhe u dhe urdhërime, statute dhe një ligj me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd.

15. Ti gjithashtu u dhe bukë nga qielli kur ishin të uritur dhe u bëre që të buronte ujë nga shkëmbi kur kishin etje; dhe i urdhërove ata të shkonin të merrnin në zotërim vendin që ishe betuar t'u jepje.

16. Por ata dhe etërit tanë u sollën me mendjemadhësi, e fortësuan zverkun e tyre dhe nuk iu bindën urdhërimeve të tua.

17. Kundërshtuan të bindeshin dhe nuk kujtuan mrekullitë që ti kishe bërë midis tyre; ngurtësuan përkundrazi zverkun e tyre dhe në rebelimin e tyre zgjodhën një kryetar për t'u kthyer në skllavërinë e tyre. Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi. Ti nuk i ke braktisur,

18. as atëherë kur bënë një viç prej metali të shkrirë dhe thanë: "Ky është perëndia yt që të nxori nga Egjipti!"; kështu bënë një gjë blasfeme.

Nehemia 9