23. I shumëzove bijtë e tyre si yjet e qiellit dhe i fute në vendin në të cilin u kishe thënë etërve të tyre të hynin për ta shtënë në dorë.
24. Kështu bijtë e tyre hynë dhe zotëruan vendin; ti ke poshtëruar para tyre banorët e vendit, kanaanenjtë, dhe i dhe në duart e tyre bashkë me mbretërit e tyre dhe me popujt e vendit, me qëllim që ata të bënin çfarë t'u pëlqente.
25. Ata pushtuan qytete të fortifikuara dhe një tokë pjellore dhe hynë në zotërim të shtëpive plot me të mira, të sternave të gatshme, të vreshtave, të ullishteve dhe të pemëve frutore me bollëk; ata hëngrën, u ngopën, u majmën dhe jetuan në gëzim për shkak të mirësisë sate të madhe.
26. Megjithatë ata u treguan të pabindur, u rebeluan kundër teje, e hodhën ligjin tënd prapa krahëve, vranë profetët e tu që u bënin thirrje të riktheheshin te ti dhe kryen gjëra blasfeme.
27. Prandaj ti i dhe në duart e armiqve të tyre, që i shtypën; por në kohën e fatkeqësisë së tyre ata klithën te ti, dhe ti i dëgjove nga qielli, dhe ti, me dhembshurinë tënde të madhe, u dhe atyre disa çlirimtarë që i shpëtuan nga duart e armiqve të tyre.
28. Por kur ata kishin paqe, fillonin përsëri të bënin të keqen përpara teje; prandaj ti i braktise në duart e armiqve të tyre, që i sundonin; megjithatë, kur përsëri këlthitnin, ti i dëgjoje nga qielli, kështu që në shpirtmadhësinë tënde i ke çliruar shumë herë.
29. Ti i nxisje të ktheheshin në ligjin tënd, por ata bëheshin krenarë dhe nuk u bindeshin urdhërimeve të tua, dhe mëkatonin kundër dekreteve të tua me anën e të cilëve, në qoftë se dikush i zbaton në praktikë, shpëton jetën; hiqnin shpatullat e tyre nga zgjedha, e fortësonin zverkun e tyre dhe kundërshtonin të bindeshin.
30. Pate durim me ta shumë vjet me radhë, duke i nxitur me Frymën tënde dhe me gojën e profetëve të tu, por ata nuk deshën të të dëgjojnë; atëherë ti i dhe në duart e popujve të vendeve të ndryshme.
31. Por në mëshirën tënde të madhe nuk i shkatërrove plotësisht dhe nuk i braktise, sepse je një Perëndi zemërbutë dhe i mëshirshëm.
32. Tani pra, o Perëndia ynë, Perëndia i madh, i fuqishëm dhe i tmerrshëm, që respekton besëlidhjen dhe mëshirën të mos të duket para teje si gjë e vogël fatkeqësia që ka rënë mbi ne, mbi mbretërit tanë, mbi krerët tanë, mbi priftërinjtë tanë, mbi profetët tanë, mbi prindërit tanë dhe mbi tërë popullin tënd, nga koha e mbretërve të Asirisë e deri në ditën e sotme.
33. Megjithatë ti ke qenë i drejtë në të gjitha gjërat që na kanë ndodhur, sepse ti ke vepruar me besnikëri, ndërsa ne kemi vepruar me pabesi.
34. Mbretërit tanë, krerët tanë, priftërinjtë tanë dhe etërit tanë nuk kanë zbatuar në praktikë ligjin tënd dhe as që u janë bindur urdhërimeve dhe porosive me të cilat i nxitje.
35. Edhe kur të gjendeshin në mbretërinë e tyre, në mirëqenien e madhe që ti u kishe siguruar atyre dhe në vendin e gjerë dhe pjellor që ti u kishe vënë në dispozicion, nuk të shërbyen dhe nuk i braktisën veprimet e tyre të këqija.
36. Dhe ja, sot jemi skllevër! jemi skllevër në vendin që u kishe dhënë etërve tanë, që të hanin frytet e tij dhe të gëzonin të mirat.
37. Kështu prodhimet e bollshme të tij u shkojnë mbretit që ti ke vendosur mbi ne për shkak të mëkateve tona; ata sundojnë trupat tona dhe mbi bagëtinë tonë ashtu si duan; dhe ne ndodhemi në ankth të madh.
38. Për shkak të gjithë kësaj, ne marrim një zotim të vendosur dhe e vëmë me të shkruar; dhe krerët tanë, levitët tanë dhe priftërinjtë tanë do të vënë vulën e tyre mbi të.