Nehemia 9:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ditën e njëzetekatërt të po atij muaji, bijtë e Izraelit të veshur me thasë dhe të mbuluar me dhe, u mblodhën për një agjërim.

2. Ata që i përkisnin fisit të Izraelit u ndanë nga gjithë të huajt dhe u paraqitën për të rrëfyer mëkatet e tyre dhe paudhësitë e etërve të tyre.

3. Pastaj u ngritën në këmbë në vendin e tyre dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë të tyre, për një të katërtën pjesë të ditës; dhe për një të katër tjetër të ditës bënë rrëfimin e mëkateve që kishin bërë dhe ranë përmbys përpara Zotit, Perëndisë të tyre.

4. Pastaj Jeshua, Bani, Kadmieli, Shebaniahu, Buni, Sherebiahu, Bani dhe Kenani u ngjitën mbi tribunën e levitëve dhe i klithën me zë të lartë Zotit, Perëndisë të tyre.

5. Levitët Jeshua, Kadmiel, Bani, Hashabnejahu, Sherebiahu, Hodijahu, Shebanjahu dhe Pethahiahu thanë: "Çohuni dhe bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim dhe lëvdim!

6. Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejt, qiejt e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.

7. Ti je Zoti, Perëndia që ka zgjedhur Abramin; e nxore nga Uri i kaldeasve dhe i dhe emrin Abraham.

8. Ti e gjete zemrën e tij besnike para teje dhe bëre një besëlidhje me të për t'u dhënë pasardhësve të tij vendin e kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të perezenjve, të jebusenjve dhe të girgasenjve; ti e mbajte fjalën tënde; sepse je i drejtë.

9. Ti ke parë hidhërimin e etërve tanë në Egjipt dhe ke dëgjuar britmën e tyre pranë Detit të Kuq.

10. Ke bërë mrekulli dhe çudi kundër Faraonit, kundër tërë shërbëtorëve të tij dhe kundër tërë popullit të vendit të tij, sepse e dije që ata ishin sjellë me paturpësi me etërit tonë. Kështu i bëre një emër vetes që mbetet edhe sot.

11. Ti ke ndarë detin para tyre, dhe ata kaluan në mes të detit në të thatë, ndërsa ti i hidhje në humnerë ndjekësit e tyre si një gur në ujëra të furishme.

12. Ti i ke udhëhequr ditën me një kolonë reje dhe natën me një kolonë zjarri për t'i ndriçuar rrugën në të cilën do të ecnin.

Nehemia 9