1. Ndërkaq u ngrit një ankesë e madhe prej popullit dhe bashkëshorteve të tyre kundër judenjve, vëllezërve të tyre.
2. Disa thoshin: "Ne, bijtë tanë dhe bijat tona jemi shumë; prandaj të gjejmë grurë që të mund të hamë dhe të jetojmë!".
3. Të tjerë thoshin: "Kemi hipotekuar arat tona, vreshtat tona dhe shtëpitë tona për të blerë grurë gjatë zisë!".
4. Disa të tjerë akoma thoshin: "Kemi marrë para hua për të paguar haraçin e mbretit mbi arat tona dhe vreshtat tona.
5. Ndonëse mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe bijtë tanë janë si bijtë e tyre, në realitet jemi të detyruar t'i kthejmë në skllevër bijtë tanë dhe bijat tona; disa nga bijat tona janë katandisur që tani në skllavëri dhe nuk kemi asnjë mundësi t'i shpengojmë, sepse arat tona dhe vreshtat tona janë në dorë të të tjerëve".
6. Kur dëgjova ankimet e tyre dhe këto fjalë, u indinjova shumë.
7. Mbasi u mendova mirë për këtë gjë, qortova parinë dhe gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Secili prej jush kërkon një kamatë prej fajdexhiu nga vëllai i vet". Kështu mblodha kundër tyre një asamble të madhe