15. Kur armiqtë tanë mësuan që ne ishim të informuar mbi këtë gjë dhe që Perëndia e kishte bërë të dështonte plani i tyre, ne të gjithë u kthyem tek muret, secili në punën e tij.
16. Qysh prej asaj dite, gjysma e shërbëtorëve të mi merrej me punët, ndërsa gjysma tjetër kishte rrokur shtizat, mburojat, harqet dhe kishte veshur parzmoret; komandantët qëndronin prapa tërë shtëpisë së Judës.
17. Por ata që ndërtonin muret dhe ata që mbartnin o ngarkonin peshat, me një dorë merreshin me punimet dhe me dorën tjetër mbanin armën e tyre.
18. Tërë ndërtuesit, duke punuar, mbanin secili shpatën e ngjeshur në ijët, ndërsa borizani rrinte pranë meje.
19. Atëherë unë u thashë parisë, zyrtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Puna është e madhe dhe e shtrirë, dhe ne jemi të shpërndarë mbi muret, larg njëri-tjetrit.
20. Kudo që të dëgjoni tingullin e borisë, atje mblidhuni pranë nesh; Perëndia ynë do të luftojë për ne".
21. Kështu e vazhdonim punën, ndërsa gjysma e njerëzve kishte rrokur shtizën që në agim e derisa dilnin yjet.
22. Në të njëjtën kohë i thashë gjithashtu popullit: "Secili nga ju të rrijë me shërbëtorin e tij brenda Jeruzalemit, për të na ruajtur natën dhe për të punuar pastaj ditën".
23. Kështu as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as njerëzit e rojës që më ndiqnin, nuk i hiqnim rrobat; por secili kishte armën e tij me ujë.