4. Mbreti më tha: "Çfarë kërkon?". Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit
5. dhe pastaj iu përgjigja mbretit: "Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë".
6. Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): "Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?". Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe.
7. Pastaj i thashë mbretit: "Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit që të më japin lejen e kalimit derisa të arrijë në Judë,
8. dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj". Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua.
9. Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës.
10. Por kur Sanbalati, horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori i Amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit.
11. Kështu arrita në Jeruzalem dhe qëndrova atje tri ditë.
12. Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jeruzalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër, barre, veç asaj së cilës i kisha hipur.
13. Dola natën nga porta e Luginës, në drejtim të burimit të Dragoit dhe të portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jeruzalemit që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri.
14. Vazhdova pastaj me portën e Burimit dhe pishinën e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur.