Nehemia 10:28-36 Bibla Shqip (ALBB)

28. Pjesa tjetër e popullit, priftërinjtë, levitët, derëtarët, këngëtarët, nethinenjtë dhe tërë ata që ishin ndarë nga popujt e vendeve të huaja për të ndjekur ligjin e Perëndisë, bashkëshortet e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre, domethënë tërë ata që kishin njohuri dhe zgjuarsi,

29. u bashkuan me vëllezërit e tyre, me më të shquarit, dhe u zotuan me mallkim dhe betim se do të ecnin në rrugën e caktuar nga ligji i Perëndisë, që ishte dhënë me anë të Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe të respektonin e të zbatonin në praktikë të gjitha urdhërimet e Zotit, Zotit tonë, dekretet e tij dhe statutet e tij,

30. të mos u japim bijat tona popujve të vendit dhe të mos marrim bijat e tyre për bijtë tanë,

31. të mos blejmë asgjë ditën e shtunë ose në një ditë tjetër të shenjtë nga popujt që çojnë për të shitur ditën e shtunë çfarëdo lloj mallrash dhe drithërash, ta lëmë tokën të pushojë çdo vit të shtatë dhe të mos vjelim asnjë borxh.

32. U zotuam prerazi të paguajmë çdo vit një të tretën e një sikli për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tonë,

33. për bukët e paraqitjes, për blatimin e përjetshëm të ushqimit, për holokaustin e përjetshëm të të shtunave, të ditëve të hënës së re, të festave të caktuara, për gjërat e shenjtëruara, për ofertat e bëra për mëkatin, për shlyerjen e fajit të Izraelit, dhe për çdo punë të kryer në shtëpinë e Perëndisë tonë.

34. Përveç kësaj hodhëm short midis priftërinjve, levitëve dhe popullit për ofertën e druve që duhet të çohen në shtëpinë e Perëndisë tonë, çdo vit në afate të caktuara, sipas shtëpive tona atërore, me qëllim që të digjen në altarin e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç është shkruar në ligj.

35. U zotuam gjithashtu të çojmë çdo vit në shtëpinë e Zotit prodhimet e para të tokës sonë dhe frutat e para të çdo peme,

36. dhe të parëlindurit e bijve tanë dhe të bagëtisë sonë, ashtu siç është shkruar në ligj, dhe me të pjelljen e parë të bagëtive tona të trasha dhe të imta për t'ua paraqitur në shtëpinë e Perëndisë tonë priftërinjve që kryejnë shërbim në shtëpinë e Perëndisë tonë.

Nehemia 10