Mateu 9:27-34 Bibla Shqip (ALBB)

27. Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!''.

28. Kur arriti në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: ''A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?''. Ata iu përgjigjën: ''Po, o Zot''.

29. Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ''U bëftë sipas besimit tuaj''.

30. Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: ''Ruhuni se mos e merr vesh njeri''.

31. Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.

32. Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.

33. Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ''Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael''.

34. Por farisenjtë thoshin: ''Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!''.

Mateu 9