Mateu 9:16-26 Bibla Shqip (ALBB)

16. Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.

17. Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy''.

18. Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''.

19. Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.

20. Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobës së tij.

21. Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rrobën e tij, do të shërohem''.

22. Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua.

23. Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,

24. u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin.

25. Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.

26. Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.

Mateu 9