Mateu 8:17-28 Bibla Shqip (ALBB)

17. që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''.

18. Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.

19. Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: ''Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh''.

20. Dhe Jezusi i tha: ''Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën''.

21. Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: ''O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim''.

22. Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet''.

23. Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24. Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''

26. Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27. Atëherë njerëzit u mrekulluan dhe thoshin: ''Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?''.

28. Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.

Mateu 8