Mateu 4:3-17 Bibla Shqip (ALBB)

3. Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: ''Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë''.

4. Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ''Është shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"''.

5. Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit

6. dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: "Ai do t'u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur"''.

7. Jezusi i tha: ''Është shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''.

8. Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,

9. dhe i tha: ''Unë do të t'i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron''.

10. Atëherë Jezusi i tha: ''Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij"''.

11. Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

12. Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.

13. Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,

14. që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:

15. ''Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,

16. populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita''.

17. Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''.

Mateu 4