Mateu 3:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,

2. dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''

3. Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.

4. Tani Gjoni vetë kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.

5. Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,

6. dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.

7. Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?

8. Jepni pra fryte të denja të pendimit!

9. Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.

10. Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.

11. Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.

Mateu 3