Mateu 22:16-30 Bibla Shqip (ALBB)

16. Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.

17. Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''.

18. Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë?

19. Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar.

20. Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''.

21. Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''.

22. Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.

23. Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën

24. duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.

25. Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasur trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.

26. Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.

27. Në fund vdiq edhe gruaja.

28. Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''.

29. Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

30. Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.

Mateu 22