34. Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
35. por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36. Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
37. Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".
38. Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".
39. Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.