7. Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''.
8. Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9. Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''.
10. Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''.
11. Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
12. Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''.
13. Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
14. Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
15. tha: ''Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
16. Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë''.
17. Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''.