17. Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''.
18. Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
19. Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ''Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?''.
20. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.
21. Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit''.
22. Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ''Biri i njeriut do t'u dorëzohet në duart e njerëzve,
23. dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet''. Dhe ata u pikëlluan shumë.
24. Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e didrahmave iu afruan Pjetrit dhe thanë: ''Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?''.
25. Ai tha: ''Po''. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ''Ç'mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?''.
26. Pjetri i tha: ''Prej të huajve''. Jezusi tha: ''Bijtë, pra, përjashtohen.
27. Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepua atyre për ty dhe për mua''.