Mateu 17:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;

2. dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.

3. Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.

4. Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''.

5. Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''.

6. Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.

7. Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''.

8. Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.

9. Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''.

10. Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''.

11. Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.

12. Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''.

13. Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.

Mateu 17