Mateu 15:7-23 Bibla Shqip (ALBB)

7. Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:

8. "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.

9. Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit"''.

10. Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: ''Dëgjoni dhe kuptoni:

11. Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun''.

12. Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?''.

13. Por ai duke u përgjigjur u tha: ''Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.

14. Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë''.

15. Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: ''Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë''.

16. Dhe Jezusi tha: ''As juve s'keni kuptuar akoma?

17. A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?

18. Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.

19. Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.

20. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun''.

21. Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.

22. Dhe ja, një grua kanaanease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''.

23. Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''.

Mateu 15