Mateu 15:27-37 Bibla Shqip (ALBB)

27. Por ajo tha: ''Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''.

28. Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua.

29. Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.

30. Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.

31. Turmat mrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbrit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.

32. Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: ''Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t'i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës''.

33. Dhe dishepujt e tij i thanë: ''Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?''.

34. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Sa bukë keni?''. Ata thanë: ''Shtatë dhe pak peshq të vegjël''.

35. Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.

36. Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.

37. Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.

Mateu 15