Mateu 15:15-31 Bibla Shqip (ALBB)

15. Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: ''Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë''.

16. Dhe Jezusi tha: ''As juve s'keni kuptuar akoma?

17. A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?

18. Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.

19. Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.

20. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun''.

21. Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.

22. Dhe ja, një grua kanaanease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''.

23. Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''.

24. Por ai u përgjigj dhe tha: ''Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit''.

25. Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, ndihmomë!''.

26. Ai u përgjigj, duke thënë: ''Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve''.

27. Por ajo tha: ''Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''.

28. Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua.

29. Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.

30. Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.

31. Turmat mrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbrit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.

Mateu 15