Mateu 14:23-36 Bibla Shqip (ALBB)

23. Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjendej aty, i vetëm fare.

24. Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.

25. Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.

26. Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Është një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika;

27. por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''.

28. Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''.

29. Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.

30. Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''.

31. Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''.

32. Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.

33. Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.

34. Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenesaretit.

35. Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;

36. dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobës së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.

Mateu 14