5. Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''.
6. Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.
7. Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës.
8. Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.
9. Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.
10. Dhe menjëherë hipi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.
11. Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.
12. Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''.
13. Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.
14. Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke.
15. Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''.
16. Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''.
17. Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse diskutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?
18. Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?