Marku 8:2-17 Bibla Shqip (ALBB)

2. ''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë.

3. Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''.

4. Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''.

5. Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''.

6. Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.

7. Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës.

8. Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.

9. Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.

10. Dhe menjëherë hipi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

11. Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.

12. Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''.

13. Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.

14. Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke.

15. Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''.

16. Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''.

17. Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse diskutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?

Marku 8