20. Tha akoma: ''Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.
21. Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,
22. vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.
23. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut''.
24. Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.
25. Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.
26. Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;
27. por Jezusi i tha: ''Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u hidhet këlyshëve të qenve''.
28. Por ajo u përgjigj dhe i tha: ''Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërrimet e fëmijëve!''
29. Atëherë ai i tha: ''Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!''.
30. Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.
31. Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolisit.