Marku 4:16-29 Bibla Shqip (ALBB)

16. Po ashtu ata që e marrin farën mbi një gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;

17. por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.

18. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,

19. por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.

20. Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''.

21. Pastaj u tha atyre: ''A merret vallë llamba për ta vënë nën babune ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?

22. Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.

23. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''

24. Dhe u tha atyre: ''Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t'iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t'iu jepet edhe më.

25. Sepse atij që ka, do t'i jepet, por atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo që ka.

26. Tha akoma: ''Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.

27. Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.

28. Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.

29. Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë draprin, sepse erdhi koha e korrjes.

Marku 4