Marku 3:5-25 Bibla Shqip (ALBB)

5. Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.

6. Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.

7. Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galileja i ndoqi; edhe nga Judeja;

8. dhe nga Jeruzalemi, nga Idumeja, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat e Tiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e mëdha që ai bënte, erdhi tek ai.

9. Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.

10. Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.

11. Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ''Ti je Biri i Perëndisë!''.

12. Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thoshin se kush ishte ai.

13. Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.

14. Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t'i dërgonte të predikojnë,

15. dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.

16. Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;

17. Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";

18. Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon kanaaneasi,

19. dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhtoi.

20. Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s'mund të hanin.

21. Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ''Nuk është në vete''.

22. Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshin: ''Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve''.

23. Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ''Si mundet që Satani të dëbojë Satanin?

24. Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.

25. Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.

Marku 3