11. Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ''Ti je Biri i Perëndisë!''.
12. Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thoshin se kush ishte ai.
13. Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.
14. Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t'i dërgonte të predikojnë,
15. dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.
16. Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
17. Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";
18. Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon kanaaneasi,
19. dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhtoi.
20. Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s'mund të hanin.
21. Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ''Nuk është në vete''.
22. Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshin: ''Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve''.
23. Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ''Si mundet që Satani të dëbojë Satanin?
24. Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.