Marku 14:44-58 Bibla Shqip (ALBB)

44. Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: ''Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt''.

45. Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: ''Rabi, Rabi!''; dhe e puthi përzemërsisht!

46. Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan.

47. Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

48. Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: ''Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub?

49. E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!''.

50. Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.

51. Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellë me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën.

52. Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.

53. Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.

54. Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.

55. Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.

56. Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.

57. Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:

58. ''Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar"''.

Marku 14