Marku 12:34-44 Bibla Shqip (ALBB)

34. Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: ''Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë''. Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.

35. Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: ''Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit?

36. Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

37. Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?''. Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.

38. Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: ''Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t'i përshëndetin në sheshe,

39. dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti,

40. që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t'u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!''.

41. Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

42. Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.

43. Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: ''Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

44. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar''.

Marku 12