Marku 10:23-31 Bibla Shqip (ALBB)

23. Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''.

24. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ''O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.

25. Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë''.

26. Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?''.

27. Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ''Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë''.

28. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: ''Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''.

29. Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,

30. që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.

31. Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.

Marku 10