Marku 1:31-45 Bibla Shqip (ALBB)

31. Atëherë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t'u shërbejë.

32. Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurët dhe të demonizuarit.

33. Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.

34. Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.

35. Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.

36. Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin.

37. Dhe, kur e gjetën, i thanë: ''Të gjithë po të kërkojnë!''.

38. Dhe ai u tha atyre: ''Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur''.

39. Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.

40. Dhe erdhi tek ai një lebros i cili, duke iu lutur, ra në gjunjë dhe i tha: ''Po të duash, ti mund të më pastrosh''.

41. Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, e dua, qofsh pastruar!''.

42. Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.

43. Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,

44. duke i thënë: ''Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta''.

45. Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.

Marku 1