Marku 1:20-34 Bibla Shqip (ALBB)

20. Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.

21. Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.

22. Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.

23. Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,

24. duke thënë: ''Ç'ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë''.

25. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''.

26. Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.

27. Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njëri-tjetrin duke thënë: ''Vallë ç'është kjo? Çfarë doktrinë e re qenka kjo? Ky i urdhëruaka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden''.

28. Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.

29. Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin.

30. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.

31. Atëherë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t'u shërbejë.

32. Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurët dhe të demonizuarit.

33. Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.

34. Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.

Marku 1