Malakia 1:10-14 Bibla Shqip (ALBB)

10. "Oh, sikur të paktën dikush prej jush t'i mbyllte dyert! Atëherë nuk do ta ndiznit zjarrin kot mbi altarin tim. Unë nuk kam asnjë kënaqësi me ju", thotë Zoti i ushtrive, "dhe as që pëlqej çfarëdo oferte nga duart tuaja.

11. Sepse, që nga lind dielli e deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve dhe në çdo vend do t'i ofrohet temjan emrit tim dhe një blatim i pastër, sepse emri im do të jetë i madh midis kombeve", thotë Zoti i ushtrive.

12. "Por ju e përdhosni kur thoni: "Tryeza e Zotit është e ndotur dhe fryti i saj, domethënë ushqimi i saj, është i përbuzshëm".

13. Ju thoni gjithashtu: "Ah, sa u lodhëm!", dhe e trajtoni me përçmim", thotë Zoti i ushtrive. "Kështu ju sillni kafshë të vjedhura, të çala ose të sëmura; kjo është oferta që sillni. A do të mund ta pranoja nga duart tuaja?", thotë Zoti.

14. Mallkuar qoftë hileqari që ka një mashkull në kopenë e tij dhe bënë një premtim solemn, por flijon për Zotin një kafshë me të meta. Sepse unë jam një Mbret i madh", thotë Zoti i ushtrive, "dhe emri im është i tmerrshëm midis kombeve".

Malakia 1