18. Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: ''Kush thonë turmat se jam unë?''.
19. Ata duke u përgjigjur thanë: ''Disa thonë "Gjon Pagëzori", të tjerë "Elia" dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur''.
20. Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. Atëherë Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Krishti i Perëndisë''.
21. Atëherë ai i porositi rreptë dhe i urdhëroi të mos i tregojnë kurrkujt,
22. duke thënë: ''Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, ta përbuzin pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ringjallet''.
23. Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.
24. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.