Luka 9:17-31 Bibla Shqip (ALBB)

17. Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.

18. Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: ''Kush thonë turmat se jam unë?''.

19. Ata duke u përgjigjur thanë: ''Disa thonë "Gjon Pagëzori", të tjerë "Elia" dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur''.

20. Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. Atëherë Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Krishti i Perëndisë''.

21. Atëherë ai i porositi rreptë dhe i urdhëroi të mos i tregojnë kurrkujt,

22. duke thënë: ''Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, ta përbuzin pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ringjallet''.

23. Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

24. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25. E pra, ç'dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje?

26. Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë.

27. Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shijojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë''.

28. Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t'u lutur.

29. Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.

30. Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,

31. të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.

Luka 9