7. Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.
8. Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: ''Çohu dhe dil këtu në mes''. Dhe ai u ngrit në këmbë.
9. Pastaj Jezusi u tha atyre: ''Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?''.
10. Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.
11. Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç'mund t'i bënin Jezusit.
12. Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t'u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.
13. Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj:
14. Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,
15. Mateun dhe Thomanë, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota,
16. Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
17. Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judeja, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t'u shëruar nga sëmundjet e veta;
18. Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.
19. E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.