24. Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!
25. Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!
26. Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.
27. Por unë po ju them juve që më dëgjoni: ''T'i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.
28. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.
29. Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.
30. Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.
31. Por, ashtu siç dëshironi që t'ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.
32. Por po t'i doni ata që ju duan, ç'meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.
33. Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.
34. Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t'jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t'u kthehet aq sa dhanë.
35. Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët.
36. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.