1. Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.
2. Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: ''Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?''.
3. Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?
4. Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t'i hante, përveç priftërinjve?''.
5. Pastaj u tha atyre: ''Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".
6. Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.
7. Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.
8. Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: ''Çohu dhe dil këtu në mes''. Dhe ai u ngrit në këmbë.
9. Pastaj Jezusi u tha atyre: ''Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?''.
10. Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.
11. Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç'mund t'i bënin Jezusit.