9. Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.
10. E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: ''Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë''.
11. Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.
12. Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: ''Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh''.
13. Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: ''Po, e dua, qofsh i pastruar''. Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
14. Dhe Jezusi e urdhëroi: ''Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t'u shërbejë si dëshmi''.
15. Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t'u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.
16. Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.
17. Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, për t'i shëruar.
18. Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.
19. Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.
20. Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: ''Njeri, mëkatet e tua të janë falur''.
21. Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: ''Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t'i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?''.
22. Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ''Ç'po arsyetoni në zemrat tuaja?