Luka 4:16-31 Bibla Shqip (ALBB)

16. Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.

17. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:

18. ''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,

19. dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''.

20. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.

21. Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''.

22. Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''.

23. Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''.

24. Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.

25. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;

26. e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveçse te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.

27. Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrosë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''.

28. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.

29. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.

30. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.

31. Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.

Luka 4